Vetëm derisa sa zgjaste festa e 'pavarësisë', këta pushtetarë arritën ta kontrabandojnë një flamur të tillë. Përndryshe ai kurrë nuk do të kishte mundur të miratohej. Qytetarët e Kosovës festonin jashtë ndërtesës së kuvendit me flamurin shqiptar pikërisht në momentin kur brenda ndërtesës deputetët po heqnin dorë nga flamuri shqiptar. Heqnin dorë nga flamuri për të cilin shqiptarët u vranë e u burgosën.
Flamuri ka për qëllim ta paraqes Kosovën si joshqiptare. Por, shqiptarët e Kosovës nuk janë vetëm një nga gjashtë komunitetet (të simbolizuara me yje). Ne përbëjmë mbi 90% të popullatës.
Flamuri i i Kosovës i ka dy ngjyra të flamurit serb (kaltër dhe bardhë) dhe asnjë nga flamuri shqiptar (as të kuqen e as të zezën). Sigurisht se do ta kishin përdorur edhe ngjyrën e kuqe (të tretën të mbetur nga flamuri i Serbisë) po të mos aludonte ajo në flamurin shqiptar.
Flamuri i Kosovës me hartën në mes mëton ta simbolizojë integritetin territorial të Kosovës. Kjo është bërë për të luajtur me ndjenjat e njerëzve këtu për Kosovën e ndarë (dhe duke u ndarë vazhdimisht me decentralizim). Dihet botërisht se sa të ndijshëm jemi ne shqiptarët kur është puna te integriteti territorial duke qenë se padrejtësisht përgjatë historisë jemi duke u ndarë dhe rrudhur territorialisht. Vendi i vetëm në botë, përveç Kosovës, që e ka hartën në flamur është Qiproja. Është pikërisht Qiproja një vend që është i ndarë në dysh prej vitit 1974 madje pa tendencë bashkimi. Flamuri i Qipros e ka hartën gjeografike të ishullit mbi dy degë ulliri që simbolizojnë paqen. Sfondi është i bardhë përderisa harta e Qipros është me ngjyrë të verdhë bakri, që simbolizon depozitat e mëdha të xehes së bakrit në këtë ishull. Ashtu siç po na thuhet se Kosova e verdhë simbolizon pasuritë e Kosovës. Flamuri i Kosovës ka ngjashmëri edhe me atë të Bosnje Hercegovinës. Edhe ky flamur i ka ngjyrat e njëjta me të Kosovës.
Na është thënë se ky do të jetë vetëm flamur shtetëror. Por bota do të na njeh me këtë flamur. Dhe edhe për shkak të tijin do të na thonë se nuk jemi shqiptarë pasi që kemi flamurin tjetërfare nga ai i shqiptarëve. Na është thënë se duhet ta ndërrojmë flamurin për shkak se dy shtete nuk mund ta kenë flamurin e njëjtë. Prapë gënjeshtër. Rumania dhe Çadi janë dy shtete diametralisht të kundërta që e kanë flamurin e njëjtë. Si u bë që ata patën të drejtë? Po na thonë se ky flamur do të na dërgojë në Evropë! Bosnja e ka të tillë dhe nuk është në Evropë. Franca e Gjermania i kanë flamujt diametralisht të kundërt me atë të BE-së dhe janë shtetet kryesore aty.
Flamuri na është ndryshuar për shkak të kundërshtimit të Serbisë. Kërkesa hegjemoniste e kahershme e Serbisë për ne (dhe bullgarët në Maqedoni) ka qenë ta ndërrojmë identitetin. Këtë e kemi refuzuar me vite. Pse ta pranojmë tash?
Ndërrimi i flamurit ka për qëllim të na e mohojë historinë dhe të na bëjë që ta harrojmë atë. Në vitin 1999 na e morën ushtrinë dhe në emër të largimit të Serbisë nuk na e lejuan pavarësinë. Tash, na e morën flamurin në emër të njohjes dhe nuk na e lejojnë vetëvendosjen.